Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur tenderin me fond 599.4 milionë lekë për lidhjen e autostradës Milot – Morinë me Aeroportin e Kukësit.
Aktualisht, aeroporti i Kukësit lidhet me autostradën Milot – Morinë nëpërmjet rrugës nacionale Kukës – Peshkopi.
“Qëllimi i përdorimit të lidhjes së Aeroportit me Qytetin e Kukësit nuk është vetëm lidhja me qytetin, por dhe lidhja me Autostradën në mënyrë që kjo lidhje të jetë sa më e shkurtër dhe të mos afektojë asnjë plan të rrugëve ekzistuese apo dhe planet vendore në lidhje me infrastrukturën e tyre” specifikohet në detajet e tenderit të shpallur në Agjencinë e Prokurimit Publik.
Më tej, dokumentacioni bashkangjitur tenderit jep 3 variante se si mund të lidhet autostrada me aeroportin e Kukësit.
Një variant i parë fillon nga aeroporti i Kukësit, hyn në zonë urbane në periferi të qytetit dhe ndërpret autostradën tashmë në mbikalim. Varianti i dytë fillon në aeroportin e Kukësit , kalon në një gjurmë të re direkt në luginë në tokë are dhe lidhet direkt me nënkalimin dhe nyjën hyrëse në qytetin e Kukësit.
Nga ana tjetër, varianti i tretë në planet vendore të Bashkisë Kukës, propozon lidhjen e aeroportit me nyjën lidhëse të autostradën nëpërmjet një rruge të re me gjatësi rreth 3 km.
“Ky segment fillon me ndërtimin një rrethrrotullimi në terminalin kryesor të aeroportit. Një rrethrrotullim i projektuar në nivel do të përmbledhë katër akse rrugore. Aksin që hyn në portën kryesore të aeroportit, aksin që del direkt, aks i dedikuar për aeroport dhe që lidhet me autostradën Milot – Morinë, aksin Kukës – Peshkopi dhe aksin tjetër aeroport Kukës (pjesë e aksit Peshkopi Kukës)” shpjegohet më tej.
Sipas tenderit të shpallur në APP, finalizimi i projektit do të realizohet në një afat kohor 6 mujor, që nga nënshkrimi i kontratës me subjektin fitues.