Edhe pse ndërkombëtarët kanë kërkuar që të pritet opinioni i Komisionit të Venecias lidhur me ndryshimet ne Kodin Zgjedhor, maxhoranca është e vendosur që të votojë sot për rrëzimin e dekretit të Presidentit Ilir Meta.
Më herët kryeministri Rama është shprehur se opinioni i Venecias është i mirëpritur por për përtej 25 prillit, pasi nuk ka më kohë për të humbur.
Një ditë më parë tetë eurodeputetë nga grupi i Partive Popullore Europiane, grupimi më i madh politik në Parlamentin Europian i drejtohen me një letër Kryeministrit Edi Rama, ku shprehin tronditje sipas tyre nga deklarata e kreut të qeverisë shqiptare për të miratuar Kodin Zgjedhor, pa pritur një opinion të Komisionit të Venecias. Në letrën e nënshkruar nga gjermanët, Michael Gahler dhe David McAllister, austriaku Lukas Mandl, suedezi David Lega, si dhe nga Sandra Kalniete, Letoni, Zeljana Zovko, Kroaci, Vladimir Bilcik, Sllovaki, i bëjnë thirrje Kryeministrit Edi Rama që të vendosë të parin interesin e demokracisë shqiptare dhe perspektivën e saj evropiane, “të tërhiqeni nga votimi i ndryshimeve në Parlament derisa të flasë Komisioni i Venecias”.
Gjithashtu, eurodeputetët shprehen të shqetësuar që Kryeministri shqiptar nuk dëgjoi këshillën e Komisionerit të BE-së për Zgjerimin. Po dje, kryetari i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian, David Mcallister ka reaguar përmes një shënimi në “Twitter” pas deklaratave të socialistëve se Kodi Zgjedhor do të votohet ditën e enjte (sot). “Shumë i shqetësuar se, pavarësisht thirrjeve kombëtare dhe ndërkombëtare, duke kërkuar që të presin një mendim të Komisionit të Venecias, votimi për ndryshimet në Kodin Zgjedhor të Shqipërisë, është caktuar për nesër. Ndryshimet e njëanshme të marrëveshjes mund të thellojnë më tej klimën e mosbesimit dhe polarizimit përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit 2021. Ato do të jenë joproduktive ndaj përpjekjeve për hapjen e konferencës së parë ndërqeveritare deri në fund të vitit”, shkruan Mcallister.
