Armando Cungu është shumë pranë shkarkimit nga stoli i Laçit. Shkak është bërë barazimi i sotëm ndaj Kastriotit, i shoqëruar me një zënkë mes teknikut shkodran dhe presidentit të kurbinasve, Pashk Laska.
Sipas “SuperSport”, në fund të sfidër, sapo është shënuar goli i Plakut në shtesën e sfidës, presidenti Laska i ka sinjalizuar Cungut që gjithçka ka mbaruar aty. Cungu po bëhej gati të bënte intervistën e zakonshme kur është thirrur më pas nga Laska dhe të dy kanë shkëmbyer një dialog të ndezur.
Menjëherë pas tij, trajneri është larguar nga stadiumi duke mos kthyer asnjë përgjigje para mediave dhe përceptimi i kësaj situate është që kjo ka qenë ndeshja e tij e fundit me kurbinasit. Pritet vetëm zyrtarizimi i largimit të teknikut, gjithmonë nëse nuk ka një prapakthehu tjetër në klubin kurbinas.
Laçi ka nisur sezonin si pretendente për të fituar titullin kampion, por në dy javët e para ka marrë vetëm 2 pikë, me barazimet kundër Bylisit dhe Kastriotit.