Artan Hënaj dhe Maksim Celaj kanë rifituar lirinë pas 4 vitesh. Ata ishin të akuzuar për tragjedinë në Nisë të Francës që ndodhi më 14 Korrik 2016 dhe mori jetën e 86 personave pasi një ekstremist tunizian lëshoi kamionin 19-tonësh drejt banorëve.
Shqiptarët do të hetohen në gjendje të lirë për trafik armësh.
Dy kushërinjtë u akuzuan fillimisht për pjesëmarrje në një “shoqatë terroriste kriminale”, por ata në fakt do të gjykohen për “shoqatë kriminale të një natyre jo-terroriste” dhe për “vepra kundër legjislacionit mbi armët”. Hetimi arriti në përfundimin se dy individët nuk kishin njohuri për qëllimet terroriste të Mohamed Lahouaiej-Bouhel.
Gjyqtari i anti-terrorizmit vendosi t’i mbajë ata në paraburgim deri në gjykimin e tyre. Sidoqoftë, gjykatësi nuk shkroi një urdhër të ri padie. Sipas ligjit, kjo është një e metë procedurale, e cila nënkupton lirimin e menjëhershëm të personave në fjalë.
