Fatime Paja u arrestua gjatë protestës së 28 Nëntorit në Tiranë, pasi policia dyshon se ajo furnizonte protestuesit me molotovë dhe mjete të tjera për sulme ndaj efektivëve dhe institucioneve. 29-vjeçarja u kap në flagrancë në rrugën “Qemal Stafa”, në një makinë tip “Fiat”, ku policia sekuestroi 91 kokteje molotov, 166 fishekzjarrë dhe 59 tuba metalikë.
Fatime Paja ishte mes artistëve që krijuan figurat e flamingove me të cilat protestuesit marshuan në Tiranë. Në një intervistë për Associated Press, ajo tregoi se grupi zgjodhi flamingon si simbol të protestës kundër projektit turistik në Nartë. Figurat i dhanë lëvizjes emrin “Revolucioni i Flamingove”. Gjatë marshimeve, Paja merrte megafonin dhe udhëhiqte thirrjet “Shqipëria nuk shitet!” dhe “Mos e prekni Nartën!”. Bashkë me artistët e tjerë, ajo organizonte edhe aktivitete vizatimi e ngjyrosjeje për fëmijët.
“E kam përdorur prej kohësh artin si një mjet për të shprehur padrejtësitë dhe pakënaqësinë që lidhen me jetën e përditshme civile në Shqipëri”, tha Paja për Associated Press në një intervistë më 20 qershor.

Përpara se të bëhej pjesë e “Revolucionit të Flamingove”, Fatime Paja ishte angazhuar si aktiviste e Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit në Shqipëri. Më 11 prill 2021, ajo mori pjesë në protestën e banorëve të fshatrave Thirrë dhe Sang në Mirditë kundër ndërtimit të një hidrocentrali dhe një fabrike uji. Në protestë ishin edhe aktivistë të tjerë të Vetëvendosjes dhe kandidati i pavarur për deputet në qarkun e Lezhës, Iliaz Shehu. Pasi policia shoqëroi disa protestues në komisariat, Vetëvendosje kërkoi lirimin e tyre, duke përmendur me emër edhe Pajën.

Në dhjetor 2022, Fatma Paja dhe motrat e saj, Elsa e Natasha, dhanë një intervistë për “Kumti”, që i prezantoi si ndër aktivistet më të zëshme të Vetëvendosjes. Motrat folën për mënyrën se si e përdorin artin për të reaguar ndaj padrejtësive dhe vendimeve që prekin jetën e banorëve.
