Sulmet me molotovë ndaj efektivëve të policisë gjatë protestës në Ditën e Pavarësisë kanë çuar në pranga 13 protestues, ndërsa 19 të tjerë janë nën hetim. Sulmet rrezikuan seriozisht jetën e efektivëve, aq sa njërit prej tyre i mori flakë uniforma.
Më i riu mes të arrestuarve është 18 vjeç. Ndonëse mbante maskë në fytyrë, policia e arrestoi Andrea Qorrajn në flagrancë i dyshuar për 7 vepra penale, mes tyre vrasje të punonjësit të policisë, të mbetur në tentativë, si edhe goditje për shkak të detyrës.
Në këto pamje shihet momenti kur adoleshenti fshihet pas urës pranë ish-hotel “Dajtit”, në bulevard, dhe më pas hedh një koktej molotov drejt një grupi efektivësh, duke u rrezikuar jetën.
Dymbëdhjetë të arrestuarit e tjerë janë të moshës nga 18 deri në 55 vjeç, mes tyre Minushe Duzha dhe Ylvana Mahmuti, një shqiptare e ardhur nga Zvicra për t’iu bashkuar protestës. Edhe për këtë grup, policia ia referoi materialet Prokurorisë për shtatë vepra penale, nga kundërshtimi i punonjësve të policisë dhe bllokimi i rrugëve, te shkatërrimi i pronës me zjarr. Referimi përfshin gjithashtu organizimin dhe pjesëmarrjen në grumbullime e manifestime të paligjshme, prishjen e qetësisë publike, shkeljen e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse, si dhe mbajtjen pa leje dhe prodhimin e armëve shpërthyese dhe të municionit.
Gjatë protestës, policia arrestoi në flagrancë edhe 29-vjeçaren Fatime Paja. Ajo ndodhej në një makinë tip “Fiat” në rrugën “Qemal Stafa”, pak metra larg protestuesve. Sipas policisë, Paja dhe dy persona të tjerë, tashmë të shpallur në kërkim, dyshohet se furnizonin protestuesit me arsenalin për sulmet ndaj efektivëve dhe institucioneve. Në makinë, policia gjeti dhe sekuestroi 91 kokteje molotov, 166 fishekzjarrë, 59 tuba metalikë, 17 kapsolla dhe dy maska kundër gazit. U sekuestruan edhe doreza, maska, veshje dhe dy celularë.
Për më shumë se gjashtë orë, kaosi dhe dhuna pushtuan qendrën e Tiranës në Ditën e Pavarësisë. Në sheshin “Skënderbej”, protestuesit u mblodhën me flamuj në duar. Përplasjet me policinë nisën kur turma marshoi drejt Kryeministrisë. Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, grupi i maskave ndonëse me flamuj në duar u shkulën pllakat e trotuarit dhe organizuan sulme të ashpra ndaj efektivëve me gurë e me molotovë.
Policia ndërhyri me mjete ujë hedhëse dhe gaz lotsjellës. Protestuesit sulmuan disa institucione, Kryeministrinë, Ministrinë e Mjedisit, Bashkinë e Tiranë, Bankën e Shqipërisë dhe Teatrin e Kukullave.
Pasdite, përplasjet u zhvendosën në sheshin “Skënderbej”, ku policia përdori gaz lotsjellës edhe me dron.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në spitale u paraqitën 47 të lënduar, mes tyre efektivë, protestues dhe gazetarë.
Të arrestuar
Enest Kapo, 32 vjeç
Hasan Xhika, 18 vjeç
Sami Ademi, 53 vjeç
Minushe Duzha, 47 vjeçe
Besard Halilaj, 25 vjeç
Ervis Disha, 27 vjeç
Lutfi Vata, 55 vjeç
Elton Caushaj, 32 vjeç
Klajdi Jonuzi, 31 vjeç
Ylvana Mahmuti, 38 vjeçe
Shpend Çerpia, 29 vjeç
David Çerpia, 23 vjeç
Akuzat për 12 të arretuarit më sipër: “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”
Andrea Qorraj, 18 vjeç
Akuzat për 18-vjeçarin: “Vrasja e punonjësit të Policisë”, mbetur në tentativë, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse”, “Shkatërrimi i pronës”, “Goditja për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”.
