Kur vjen puna për të kënduar këngë të llojeve nga më të ndryshmet, që nga folku e deri të ato të huajat, Aurela Gaçe është emri i parë që të vjen në mendje.
Aurela ishte e ftuara e djeshme e emisionit të përjavshëm në Top Albania Radio, “Pardon My French” me Jonida Aliçkollin dhe Kejvin Kalon.
Këngëtarja e njohur foli për jetën e saj sociale, karrierën dhe familjen e ndër të tjera është “përballur” edhe me disa pyetje interesante.
E pyetur nga moderatorët nëse ka një këngë nga trevat shqiptare që ajo nuk di të këndojë, Aurela u përgjigj: “Unë e dua folkun dhe në përgjithësi nuk e gënjej shpirtin tim, i këndoj me qejf dhe me dashuri, prandaj ndodh që njerëzit e pëlqejnë këtë pjesë tek unë… “
“Nuk di të këndoj “Këngët Maje Krahu” ato janë këngë të malësisë, të kënduara në veri nga burrat, janë specifikisht për ata dhe janë shumë të vështira, nuk i këndon dot gjithkush. Është njësoj sikur t’i thuash dikujt që nuk ka lindur në jug, këndo ti polifoninë…!”, – ka përfunduar Gaçe.
Ja pra, më në fund u gjet edhe një këngë që Aurela nuk di, por edhe këtë herë nuk qenka për “faj” të sajin.
