Gjykata e Posaçme e Apelit ka rikthyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për gjyqtaren Mimoza Margjeka.
Dy javë më parë Gjykata e Shkallës së Parë vendosi masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, por Apeli e rrëzoi këtë vendim dhe vendosi ashpërsimin e masës ndaj ish-gjyqtares së Korçës.
Kthimin e gjyqtares në arrest shtëpie e kërkoi prokuroria me argumentin se për të çuar dhe për të marrë fëmijën nga kopshti ka autorizim dhe për këtë arsye nuk ka përse të ndryshohet masa, pasi po sipas organit të akuzës “përbën rrezik për provat”.
Margjeka akuzohet se ka marrë 6000 euro për të liruar nga burgu Orion Balin kundrejt “garancisë pasurore”, ndërsa u zbulua nga përgjimet e prokurorisë.
Në përgjim u përfshinë bashkëshorti i gjyqtares Arben Cara, avokati i Orion Balit, Skënder Demiraj, vëllai i të pandehurit Nejton Bali dhe sekseri Klaudjo Zhilla.
Në arrest shtëpie është lënë bashkëshorti i saj Arben Cara. Ai ishte në qeli, ndërsa tashmë hetimet për të do të vijojnë në arrest shtëpi. Pra çifti është “kyçur” në shtëpi nga gjykata e Apelit. Seanca për masën ishte me dyer të mbyllura.
