Epidemiologu Ilir Alimehmeti u ka bërë thirrje gjithë qytetarëve, por edhe kolegëve të tij që të mos japin në fazat e para të infektimit me Covid ilaçe kortizonikë. Alimehmeti thekson se më së pari nuk duhet të bëni dëm.
Sipas mjekut në rastet kur ka pasur mbingarkesë me ilaçe të panevojshme, është vënë re një rritje e vdekshmërisë me 2.3 herë, ndërkohë që rekomandon se këto lloj medikamentesh mund të përdoren vetëm në faza të avancuara të sëmundjes.
Postimi i plotë i Alimehmetit:
“PRIMUM NON NOCERE” Cit.: Dogmë mjekësore (shqip: “Së pari mos bëj dëm”). Miqtë e mi! Një lutje për të gjithë! Në kuadrin e frenezisë së trajtimit të COVID-19, po rendim drejt skajit tjetër mjekësor, atij të MBITRAJTIMIT! Kujdes, medikamentet kur nuk përdoren në mënyrën e duhur dhe në kohën e duhur, jo vetëm që nuk ofrojnë asnjë efekt por ushtrojnë efekte anësore negative të njohura e të panjohura.
Ky është rasti edhe i kortizonikëve, të cilët po jepen si karamele edhe në Shqipëri. Indikacioni i vetëm klinik për dhënien e kortizonikëve është te pacientët e sëmurë rëndë, potencialisht në detres respirator. NUK JEPEN KORTIZONIKË NË FORMAT E LEHTA!
AQ MË KEQ QË DITËN E PARË TË DIAGNOZËS! Studiuesit e qendrës prestigjioze Mayo Clinic, Rochester – SHBA kryen një meta-analizë (maja e evidencës mjekësore) mbi përdorimin e kortizonikëve në COVID-19 dhe raportuan në revistën CHEST më 28 tetor 2020 se:
Kortizonikët e rrisin vdekshmërinë me 2.3 fish në total! Në rastet e sëmura rëndë kortizonikët e ulin vdekshmërinë me 35%. Vdekshmëria e rritur te pacientët që përdorin kortizonikë vjen si rrjedhojë e efekteve të njohura protrombotike të kortizonikëve e kombinuar me efektet anësore negative të kortizonikëve si superinfeksionet, aspergiloza pulmonare e lidhur me COVID-19, hiperglicemia dhe hipertensioni arterial. Të gjitha efekte anësore të njohura miqtë e mi!
Pra: Mos merrni dhe mos jepni kortizonikë në fazat e para dhe të lehta të sëmundjes! KORTIZONIKËT E DHËNË PA KRITER RRISIN GJASAT E VDÊKJES! Kujtoni: PRIMUM NON NOCERE. Asnjë mjekim nuk është karamele. Mos i trajtoni si të tillë.
