Në emisionin “Kjo Javë” me Nisida Tufën, Presidenti Meta ka folur edhe për vaksinat e mbërritura në Shqipëri. Ai thotë se transparenca garanton besueshmërinë dhe seriozitetin e shtetit në raport me qytetarët, ndërsa çdo veprim tjetër hyn në sferën e trafikimit apo të kontrabandës.
“Është lajm i mirë çdo lajm, që i shërben përballimit të kësaj situate në të gjithë dimensionin e vet real.
Çdo mbërritje e vaksinave është pozitive, por çdo fshehje e problematikës së gjerë përmes akteve të karakterit propagandistik, nuk i shërben qëllimit të përgjithshëm dhe në këtë drejtim, sigurisht që kemi pasur dhe kemi probleme tepër shqetësuese.
Të mos harrojmë, që në spitalet tona mungojnë një pjesë e mirë e pajisjeve shpëtuese dhe raste të mesme apo të rënda trajtohen jashtë vendit.
Në çdo vend demokratik, ku funksionon shteti i së drejtës, transparenca është elementi i parë, që garanton besueshmërinë dhe seriozitetin e autoriteteve shtetërore në raport me qytetarët.
Kjo është e domosdoshme dhe e pashmangshme, pasi çdo sjellje dhe veprim tjetër hyn në sferën e trafikimit apo të kontrabandës.” shpreh Meta ndër të tjera.
