Kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla pas takimit në selinë rozë më drejtuesit politik të PS në qarqe foli për listën e kandidatëve të PS-së për deputet ku tha se është një listë pothuajse gati por pa dhënë një datë se kur do të publikohet kjo listë.
Kujtojmë se në bazë të Kodit Zgjedhor afati i fundit i paraqitjes së listave të kandidatëve është 7 marsi.
“Ne kemi një listë pothuajse gati pa dyshim që vazhdojmë të bëjmë konsultime të nevojshme për të pasur listë sa më përfaqësuese. Pa dyshim ky është një proces që po ecën shumë mirë dhe jam krenar që PS është sot e vetmja alternativë për ti besuar votën qytetarëve shqiptarë”, tha Balla.
Përsa i përket raportimit të drejtuesve të qarqeve ai tha se shtabi elektoral ka qenë në kontakt të vazhdueshëm, ndërsa përsa i përket listës, krahas programit “Deputeti që duam” që për të u mbyll me sukses është bërë edhe vlerësimi i ekipit aktual të deputetëve. Megjithatë për Ballën e rëndësishme është zgjedhjet me standarde demokratike.
“Kemi hyrë në procesin 4-mujor para zgjedhjeve ku të gjithë jemi të detyruar të respektojmë librin e rregullave të vendosura nga KQZ në respekt të plotë të standardit më të mirë në zgjedhje. Është shumë e rëndësishme që zgjedhjet janë me standarde demokratike. Besoj që biem të gjithë dakord që PS ka zhvilluar proces shumë planesh, unë jam krenar që kemi përmbyllur fushatën “Deputeti që duam” ku i kemi dhënë mundësinë profesionistëve të rinj për nga energjitë që të konkurrojnë në kuadër të një platforme dhe tashmë kemi arritur në një grup përfaqësuesish shumë të mirë . Në të gjitha qarqet do kemi përfaqësues që kanë ardhur përmes këtij procesi. Ju e dini që kemi përmbyllur dhe një proces tjetër për të vlerësuar ekipin aktual të deputetëve dhe nga ky proces kemi marrë feedback pozitiv që pa dyshim që kryesia e PS do të diskutojë dhe listën përfundimtare. Ajo që është shumë e rëndësishme është për shkak të dritares dhe mundësisë që ka ofruar ndryshimi i kodit zgjedhor për të votuar jo vetëm partinë po dhe kandidatët në të gjitha qarqet. E gjithë lista do të jetë uniforme sepse unë besoj do të jenë qytetarët ata që do të bëjnë renditjen”, tha Balla.
Ndërkohë në mesditë do të ketë dhe një takim me misionin e OSBE-ODIHR që vjen në Shqipëri për monitorimin e zgjedhjeve.
