Në Paris mbahet sot Forumi i Paqes, një nismë e themeluar nga presidenti francez Emanuel Macron prej vitit 2028. Ky takim i përvitshëm mbledh liderë të vendeve evropiane me synimin për të diskutuar politikat për paqen dhe bashkëpunimin mes vendeve.
Forumi këtë vit fokusohet te qeverisja efektive për garantimin e paqes së qëndrueshme, stabilitetit dhe prosperitetit, përballë sfidave gjeopolitike, teknologjike dhe klimatike.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është pritur një ditë më parë në Pallatin Elize nga presidenti Macron dhe do të marrë pjesë në këtë forum, ndërsa vendi ynë, një nga kandidatët në prag të anëtarësimit në BE, është i pranishëm në shumë tryeza dhe panele me fokus në të ardhmen e Evropës.
Në kuadër të forumit, Rama do të marrë pjesë në një sesion të posaçëm në formatin “Spotlight”, ku do të diskutojë për perspektivën evropiane dhe rëndësinë e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, veçanërisht për brezat e rinj.
Kryeministri do të jetë gjithashtu pjesë e seancës plenare me temë “Nga Sovraniteti te Bashkëpunimi”, ku do të trajtohen çështje që lidhen me forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përballimin e sfidave globale.
