Për analistin Baton Haxhiu formalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Izraelit ishte shqetësues pasi u shoqërua me vendimin për të kaluar ambasadën në Jeruzalem, vendim që bie kundër me pjesën më të madhe të vendeve që e kanë mbështetur Prishtinën si BE-ja apo Turqia.
“Kur një vend është i pashpresë, kapet edhe prej një fije kashtë,” – ironizoi Baton Haxhiu duke e cilësuar situatën politike në Kosovë si ndër më të vështirën e mundshme. Ai kujtoi se Kosova nuk njihet nga pesë vende të BE-së, nuk ka liberalizim të vizave, nuk figuron në organizata të rëndësishme ndërkombëtare dhe ndër këto ka vetëm marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Më keq se kaq s’ka ku shkon, na u desh dhe kjo, të prisheshim me BE-në dhe Turqinë [prej ambasadës në Jeruzalem],” – tha Haxhiu për Euro News Albania, i cili e ka konsideruar “as dhimbje të bukur” njohjen e pavarësisë nga Izraeli
Haxhiu shprehu shqetësim për faktin se Kosova është e izoluar politikisht dhe me qasjen që ka ndërmarrë për të dërguar ambasadën në Jerusalem. Ai ironizoi duke thënë se një veprim i tillë kërkon një ushtri të fortë. Duke analizuar më tej, analisti i njohur ngriti pyetjen se çfarë do të ndodhte nëse Turqia tërhiqet nga njohja e pavarësisë së Kosovës teksa drejtohet nga “një udhëheqës arrogant”.
