Një muaj heshtje nuk është zakon në politikën e Edi Ramës.
Pas protestës së Flamingove, ai nuk doli menjëherë me një kundërsulm politik, nuk shpalli fitore mbi protestuesit dhe nuk u mjaftua me argumentin se qeveria kishte faktet në anën e saj. Përkundrazi, u tërhoq në një periudhë reflektimi dhe u rikthye me një dokument strategjik që nuk flet aq shumë për kundërshtarët, sa flet për vetë qeverinë. Ky është ndoshta elementi më interesant i gjithë kësaj historie.
Në pamje të parë, duket sikur dokumenti është një analizë e protestës së Flamingove. Në të vërtetë, Flamingoja është vetëm arsyeja. Rama e përdor atë si momentin kur kupton se Shqipëria ka hyrë në një fazë tjetër zhvillimi, ku problemi nuk është më mungesa e investimeve, por mungesa e besimit. Pikërisht ai u shfaq me koncept të ri që ai e quan BESA.
Nuk është rastësi që dokumenti nuk fillonte me ekonominë, me Bashkimin Europian apo me zgjedhjet. Fillonte me qytetarin që nuk beson më se shteti e dëgjon. Ky është ndryshimi më i madh filozofik i reflektimit të asaj që ka mbetur nga mandati i katërt.
Nëse tre mandatet e para u ndërtuan mbi idenë se politika fiton duke prodhuar rezultate, edhe kur brenda ka elemente korruptive, dokumenti i ri pranon se rezultatet nuk mjaftojnë më. Mund të ndërtosh rrugë, aeroporte, porte, spitale apo të rrisësh ekonominë, por nëse qytetari nuk beson se shteti është edhe i tij, atëherë çdo statistikë fillon të humbasë vlerën e saj. Kjo është teza qendrore e gjithë dokumentit që Rama e paraqiti sot para socialistëve.
Në këtë kuptim, protesta e Flamingove në asbjë moment nuk mori shpjegim si një betejë për Zvërnecin. Ajo doli si moment kur qeveria kuptoi se kishte humbur diçka shumë më të madhe: besimin emocional të një pjese të shoqërisë. Flamingoja, në këtë dokument, nuk është protestuesi. Është simboli i qytetarit që largohet kur uji i besimit trazohet dhe rikthehet vetëm kur ai qetësohet.
Prandaj Rama nuk flet më për fakte, por ai peshen e fjalës e bartë ndryshe dhe flet për “përjetim”. Nuk flet më për investime, por iu desht të flas për empati. E largoi nga fjalori dhimbjen për qytetarin që përjeton nga puna që bën kjo administratë. Rama shkoi përtej duke fol për “marrëdhënien mes shtetit dhe qytetarit”. Kjo nuk është thjesht ndryshim fjalori. Është ndryshim filozofie politike.
Por nëse “BESA” synon të jetë filozofia e mandatit të katërt, atëherë ajo nuk mund të mbetet vetëm një mënyrë e re komunikimi me qytetarin. Ajo duhet të prodhojë një standard të ri shteti.
Kjo do të thotë që meritokracia të mos jetë më slogan, por rregull. Universitetet nuk mund të vazhdojnë të jenë vende ku ruhet vendi i punës pa prodhuar dije. Një pedagog që nuk shkruan, nuk boton, nuk kërkon dhe nuk kontribuon në shkencë, nuk mund të mbështetet vetëm te vjetërsia në punë. Universiteti duhet të matet me dijen që prodhon, jo me diplomat që shpërndan.
Po aq e rëndësishme është hapja e arsimit shqiptar ndaj botës. Shqipërisë i duhen studentë të huaj, profesorë të huaj dhe konkurrencë ndërkombëtare. Diversiteti akademik nuk është luks. Është kusht për të ndërtuar universitete që prodhojnë ide dhe jo vetëm administrim diplomash.
Për këtë arsye, Shqipërisë i duhet një ministër Arsimi që e njeh universitetin, kërkimin shkencor dhe transformimin global të dijes. Arsimi nuk është sektor administrativ. Është vendi ku ndërtohet elita e së ardhmes. Ata janë shumë që presin.
E njëjta logjikë duhet të vlejë edhe për administrimin e tokës, investimeve dhe pronës publike. Historia e fermerit Arbër në dokument nuk është episod emocional. Është prova se shteti nuk mund ta lërë më qytetarin vite të tëra pa përgjigje. “BESA” duhet të nënkuptojë procedura të qarta, afate të detyrueshme dhe vendimmarrje të kontrollueshme. Jo heshtje burokratike.
Në fund, “BESA” do të gjykohet nga cilësia e njerëzve që do ta zbatojnë. Një Parti Socialiste që synon të lërë trashëgimi nuk mund të matet me numrin e mandateve apo me ekuilibrat formalë të përfaqësimit. Ajo do të matet me aftësinë për të zgjedhur njerëzit më të ditur, më të aftë dhe më të ndershëm për të drejtuar institucionet. Historia nuk mban mend qeveritë që plotësuan kuota. Mban mend qeveritë që ndërtuan institucione.
Vetëm atëherë “BESA” pushon së qeni një fjalë e bukur shqiptare dhe bëhet kontrata e re mes shtetit dhe qytetarit.
Por dokumenti lë të kuptohet edhe diçka tjetër. Nëse kjo filozofi zbatohet, atëherë ajo nuk mund të kufizohet vetëm në komunikim. Ajo duhet të prodhojë politika të reja. Në arsim, kjo do të thotë kalim nga matja e suksesit me godina e investime tek cilësia reale e dijes dhe përvoja e nxënësit. Në administrimin e tokës, do të thotë fundi i heshtjes burokratike dhe krijimi i një sistemi ku qytetari apo investitori merr përgjigje të shpejtë, të argumentuar dhe të verifikueshme, jo vite pritjeje që shkatërrojnë besimin.
Edhe emri BESA duhet lexuar pikërisht në këtë prizëm.
Në traditën shqiptare, besa nuk është premtim. Premtime japin të gjithë. Besa është fjala që krijon besim sepse lidhet me përgjegjësi. Pikërisht këtë kërkon të ndërtojë Rama: ta zhvendosë qeverisjen nga autoriteti i pushtetit tek autoriteti i besueshmërisë.
Por këtu lind edhe sfida më e madhe, për Ramën. Si tabheq vesin e përtacisë të stafini tij. Ai e di mirë që besimi nuk rikthehet me një dokument strategjik, as nuk rikthehet me metafora.
Madje as me një fjalim të mirë.
Ai rikthehet vetëm kur qytetari fillon të ndiejë se administrata sillet ndryshe, se shteti dëgjon më shpejt, përgjigjet më drejt dhe respekton më shumë.
Prandaj prova e vërtetë e dokumentit “BESA” nuk do të jetë nëse socialistët do ta duartrokasin. Prova do të jetë nëse qytetari do ta ndiejë ndryshimin pa pasur nevojë ta lexojë atë.
Në fund të fundit, edhe vetë Rama pranon diçka që pak liderë e pranojnë publikisht: pushteti mund të fitojë zgjedhjet dhe njëkohësisht të humbasë besimin.
Nëse “BESA” arrin ta rikthejë atë besim, mandati i katërt do të ketë një identitet të ri politik.
Nëse jo, atëherë do të mbetet vetëm një dokument i shkruar mirë për një krizë që u kuptua drejt, por nuk u zgjidh. Dhe nëse Rama e ka kuptuar dhe socialistët jo, atëherë kthehemi të fjala Besa ku besimi mbetet vetëm te fjalimi i Ramës.
