“Që kur Baxho nuk luan më, nuk ka kuptim e diela”, këndonte Çezare Kremonini dhe me rastin e 54-vjetorit të “Bishtalecit të Artë”, bota e futbollit nuk kishte se si të mos tregonte të gjithë afeksionin ndaj një prej hyjnive të futbollit italian dhe botëror. Dashuria dhe admirimi për këtë lojtar shkonte përtej çdo ngjyre fanelle që kishte mbajtur veshur, pasi në historinë e futbollit italian ai është një pasuri e pavdekshme, siç treguan edhe mijëra mesazhet e marra dje nga miq, ish-shokë skuadre dhe jo vetëm.
URIMI I VAJZËS – Mes shumë mesazheve të marra në rrjetet sociale, një që mori më shumë pëlqime ishte ai i vajzës së Roberto Baxhos, Valentinës: “Gëzuar ditëlindjen ‘Papito’. Gjeni dikë që ju sheh si babai im sheh nënën time pas 40 vitesh martesë dhe do të jeni përjetë të lumtur. Faleminderit për gjithçka babi”, ishte mesazhi i vajzës së 54-vjeçarit, në të cilin Fabricio Mikoli kërkoi që t’i uronte ditëlindjen: “Shumë urime, një prej më të mëdhenjve të historisë”.
NOSTALGJIKU DEL PIERO – Mes shumë “like”-ve, ra në sy ai i Françesko Totit, i cili e ka pëlqyer shumë mesazhin që Alesandro del Piero i kishte dërguar Roberto Baxhos, një kalim nostalgjik në të kaluarën e përbashkët te Juventusi, i cili ishte vërtet drithërues. “Ai nga Viçenca, unë nga Trevizo… Pas çdo stërvitjeje, ndalesha të shihja dhe të adhuroja Robin teksa stërvitej me goditjet e dënimit. Dhe kaq më mjaftoi që të frymëzohesha dhe të nisja të provoja t’i godisja edhe unë. Dhe e gjitha kjo, vetëm falë këtij njeriu, – tregonte Aleks del Piero, i cili zbulonte edhe një anekdotë për periudhën kur ai dhe Roberto Baxho ishin së bashku pjesë e Juventusit, mes vitit 1993 dhe 1995.
– Avokati Anjeli na thoshte se Robi ishte Rafaelo, ndërsa unë Pinturikio, një piktor shumë i ri i destinuar që të isha në nivelin e mësuesit. Prandaj, shumë urime Robi”. Ky mesazh i Del Pieros u bombardua me pëlqime të shumta nga ish-kolegë si Alesandro Florenci, Fabio Kualiarela, Daniele de Rosi dhe Paulo Dibala, i cili për më tepër vendosi që ta ripropozojë urimin e Del Pieros për Baxhon në “Story”-t e tij në “Instagram”, duke e shoqëruar me duartrokitje.