Seanca e sotme e Kuvendit ka nisur me debate të forta mes deputetes Rudina Hajdari dhe kryeparlamentarit Gramoz Ruçi.
Hajdari ka marrë e para fjalën në foltore, ku foli me tone të ashpra ndaj partive të tjera.
Sipas saj, Ramës i pëlqen modeli turk, ndërsa Bashës i pëlqen të sundojë vetëm duke eliminuar bashkëpunëtorët.
“Ky që është sot kryeministër është shumë i lidhur me modelin turk të qeverisjes, i pëlqen të jetë sulltan. Atij jashtë i pëlqen modeli rus, një person që eliminon të gjithë bashkëpunëtorët dhe i shpall armiq për të sunduar deri në vdekje, edhe nëse foleja e tij shndërrohet në një barake. Këta nuk e duan procesin e integrimin sepse duan të grabisin çdo gjë që ka vlerë në këtë vend. Pasi ta bëjnë të gjithë këtë, do jetojnë në një vend tjetër ku politikanët nuk janë kështu, të babëzitur”, tha Hajdari.
Gjatë kësaj deklarate nuk vonoi edhe reagimi i kryeparlamentarit Ruçi, i cili akuzoi Hajdarin se shfrytëzoi fjalën e saj në funksion të fushatës elektorale.
“Fjalën nuk e more si Rudina Hajdari, po si kryetare e Komisionit të Integrimit. Raporti që keni depozituar këtu s’ka asnjë lidhje me ato që thatë. E kuptoj që jemi në fushatë elektorale, por jam e bindur se nëse do të kishe folur si kryetare, edhe elektoralisht do kishe fituar më shumë”, tha Ruçi.
