Një gol i shkëlqyer me roveshatë i Olivier Zhiru, i ka mjaftuar Çelsit që të sigurojë një fitore të rëndësishme ndaj Atletiko Madrid në ndeshjen e parë mes dy skuadrave. Një ndeshje e cila u zhvillua në Bukuresht, për shkak të pamundësisë të skuadrës angleze për të udhëtuar drejt Spanjës, si pasojë e rregullave të karantinimit për pandeminë.
Sfida mes skuadrës së Simeones dhe asaj të Tuhel pritej të ishte një spektakël, por në fakt rezultoi një duel me shumë pak emocione, sidomos në pjesën e parë ku skuadrat kontrolluan njëra-tjetrën dhe prodhuan pak raste para portës.
Atletiko, edhe pse me emra si Zhoao Feliks e Luis Suarez në fushë, u shfaq shumë i paqartë para portës me Çelsin që e kishte të lehtë që t’i kontrollonte e të niste ofensivën e saj, edhe pse edhe londinezët rrezikuan pak herë katërkëndorin e Oblak.
Në fund, diferencën e bëri një gol spektakolar i Zhiru, i cili përfundoi nga një devijim i pafat i Hermoso dhe me një roveshatë arriti të shënonte në portën e spanjollëve të cilët mendonin se ai ishte në pozicion jashtë loje. VAR konfirmoi golin për sulmuesin francez dhe kaq i mjaftoi Çelsit që më pas të mbyllej mirë në prapavijë dhe të mbyllte ndeshjen me një fitore minimale që i jep një shtysë për çerekfinalet e turneut.
Atletiko Madrid-Çelsi 0-1
71’ Zhiru