Shoqata e tifozëve matjanë shprehen se ditët e fundit disa zyrtarë klubesh sportive dhe media kanë sulmuar padrejtësisht ekipin e Burrelit. Sipas tyre akuzat, sajimet dhe shpifjet nuk do ta ndalin skuadrën e Nikës drejt suksesit.
“Prej disa javësh disa zyrtarë të klubeve të grupit A kanë nisur një valë akuzash ndaj ekipit tonë. Qëllimi i tyre ka qenë të zbehin fitoret tona dhe ta demoralizojnë ekipin. Ndeshjen me Partizanin B e panë gjithë shqiptarët dhe skuadra e Burrelit e dominoi takimin, madje mund të fitonte më shumë se 3-1”, thanë përfaqësues të tifozëve.
Akuzat kanë vijuar edhe për ndeshjen e fundit, atë me Besëlidhjen. Sipas mbështetësve të ekipit loja ishte e fortë por skuadra e Burrelit tregoi epërsi në të gjitha aspektet.
“Lezhjanët pretentojnë për një penallti ndërkohë që lojtari i tyre u rrëzua 20 metra larg portës së Mirakës. Skuadra e Sinan Bardhit zhvilloi një lojë shumë agresive, madje dëmtimet fizike të matjanëve ishin të shumta. Akuzat e drejtuesve të Besëlidhjes janë qesharake dhe të pavërteta. Skuadra jonë nuk do të ndalet drejt objektivit, ngjitjes një kategori më lart”, deklaruan tifozët burrelas.