Skënderbeut kishte një dekadë pa luajtur me objektiv mbijetesën në Superiore, por në këtë edicion, skuadra korçare e sheh vetën përsëri në pozita të vështira në klasifikim. Për “Ujqërit e dëborës” sot ka ardhur një fitore shpresëdhënëse ndaj Partizanit që i ka larguar nga vendi i fundit i tabelës dhe për presidentin Takaj, ky ekip mund të vazhdojë kështu me rezultate të papritura për shkak se ka një përbërje me të rinj që dalin jashtë çdo parashikimi.
Në fjalët e tij pas sfidës, ai theksoi se ekipi kishte bërë mirë, por lufta për mbijetesë sipas tij ishte më e vështirë se ajo për titullin kampion.
“Këta çunat e rinj këtë kanë, bëjnë ndeshje të bukura, bëjnë edhe ndeshje të dobëta. Nuk janë të qëndrueshëm gjatë gjithë kampionatit. Megjithatë kjo ishte një fitore që është një sinjal shprese për mbijetesën.
Si është të luash për mbijetesë? Nuk e di! Niveli këtu poshtë është më i vështirë, ka probleme shumë më të mëdha, probleme arbitrimi. Dhe duhet ta përballosh ndryshe.
Skënderbeu është ekip i ri dhe mund të fitojë kudo. Nuk është çudi që fitoi këtu, mund të fitojë gjithandej. Këtë problem kanë këta lojtarët e rinj, sepse luajnë dhe aty kur duhet të fitojnë nuk e bëjnë dhe aty ku nuk e pret fitojnë.
Mbijetesa? Normalisht nuk kemi hequr dorë, janë edhe 13 ndeshje të tjera. Rivalët nuk janë larg. Nëse djemtë janë seriozë dhe luajnë, normalisht objektivi mbijetesë është i arritshëm”, deklaroi numri 1 i kubit korçar.