Presidenti Ilir Meta ka marrë pjesë në Konferencën Vjetore të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme gjermane në Mynih, ku ftoi biznesin gjerman për mundësitë e investimeve në sektorin e turizmit dhe energjetikës në Shqipëri.
“Ftesa ime e sinqertë dhe e drejtpërdrejtë është që t’ju ftoj në Shqipëri jo vetëm si turistë për të shijuar bukuritë e saj të jashtëzakonshme, por edhe si investitorë potencial duke shfrytëzuar kapitalin tuaj financiar dhe ekspertizën menaxheriale në sektorin e turizmit” theksoi Presidenti Meta.
Ai vlerësoi parneritetin strategjik dhe marrëdhëniet e shkëlqyera të bashkëpunimit në të gjitha fushat mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Gjithashtu, Meta shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen financiare dhe teknike të Gjermanisë, për më shumë se 30 vite, në fushat më jetike të ekonomisë tonë si: energjetika, infrastruktura, bujqësia, turizmi, shëndetësia, SME-të dhe arsimi profesional, ku kontributi i saj tejkalon vlerën e 1 miliard $, duke u renditur si donatori më i rëndësishëm në Shqipëri.
Presidenti Meta tha se Shqipëria shpreson edhe me mbështetjen e paçmuar të Gjermanisë dhe me vullnetin e të gjithë vendeve anëtare, të çelim negociatat me BE-në qershorin e 2019-s.
