Atletiko Madrid ishte një prej skuadrave më spektakolare në këtë edicion të La Liga në pjesën e parë të sezonit, duke regjistruar suksese njëri pas tjetrit me lojë të bukur ofensive. Por që nga momenti kur Real Madrid dhe Barcelona u ngjallën duke u vënë në ndjekje të skuadrës së Simeones, kjo e fundit ka filluar të mendojë më shumë për rezultatet sesa për lojën.
Edhe sot, në duelin ndaj Atletik Bilbaos, të prapambetur që nga java e 18 e La Liga, Atletiko mendoi më shumë për rezultatin sesa për lojën. E gjendur në vështirësi pas golit të Muniain në pesën e parë, skuadra e madrilenëve shfaqi disa vështirësi derisa gjeti barazimin me Markos Jorente. Më pas, penalltia e Luis Suarez solli përmbysjen e rezultatit dhe aty filloi administrimi i lojës për të krijuar sa më pak rreziqe përballë Oblak.
Gjithsesi, në fund tre pikët i mundësojnë Atletiko Madrid që të marrë pikë që të rinisë arratinë në +6 nga Barcelona e vendit të dytë dhe +8 nga Reali që mban vendin e tretë. Tashmë të gjitha skuadrat kanë luajtur ndeshjet deri në javën e 26 dhe kështu, kanë një ide të qartë se cila është diferenca që kanë e që Ateltiko duhet të mbrojë, ndërsa rivalët duhet të tentojnë të rikuperojnë në javët e mbetura.