Çështja nuk është a do të shënojë, por në çfarë mënyre. A mundet një e majtë fluturimthi të kujtojë një gol me kokë?
Nga pikëpamja estetike me siguri që jo, por nëse përfshijmë edhe faktorë të tjerë, atëherë gjërat mund të ndryshojnë. Aspekte si: instikti, koordinimi, fantazia dhe aftësia për të sfiduar ligjet e fizikës. Në këtë kontekst, goli i Kristof Piontekut ndaj Atalantës kujton shumë një të Marko Van Bestenit, ndaj Realit në “Stantiago Bernabeu”. Në ekzekutimet përkatëse, secili pret krosimin e ndërkohë gjen momentin për të mashtruar me trup mbrojtësin që e markon. Polaku i dha fill përmbysjes së Milanit në Bergamo, teksa “Mjellma e Utrehtit” bënte të njëjtën gjë në një gjysmëfinale të Kupës së Kampionëve.
FIZIKA
Në rastin e Van Bastenit, mënyra e ekzekutimit është vërtet e admirueshme, paçka se në terma teknikë është autogol i portierit Bujo, duke qenë se goditja e sulmuesit ndalet në traversë për t’u përplasur më pas në duart e portierit rival që e drejton në rrjetë. Se çfarë “shkrep” në kokën e një sulmuesi për të bërë një lëvizje të tillë mbetet ende mister. Shkëputja, goditja dhe forca përbëjnë një koktej të veçantë, formula e të cilit mbetet sa fituese aq edhe e vështirë për t’u gjetur. Kujdes, çdo krahasim mes sulmuesit të dikurshëm të Milanit dhe atij aktual duhet marrë thjesht si sugjestionim.
VLERA
Cilësitë e Kristof Piontek nuk vihen në diskutim, fundja 17 gola në Serinë A dhe kandidatura për “Këpucë të Artë”, janë një CV dinjitoze. Cilësitë në futbollin e sotëm përkojnë me miliona. Karriera e polakut nisi te Lehia Dzhierzoniov, e cila e shiti për 12 mijë euro te Zaglebie Lubin. Tri vite më pas Krakova pagoi 700 mijë euro për ta blerë. Edhe këta të fundit bënë biznesin e radhës, duke e shitur vetëm pas dy sezonesh për 4 milionë euro. 23-vjeçari shndërrohet në diamant për Xhenoan, e cila nga ana e saj në 4 muaj i 9-fishon vlerën duke ia “dhuruar” Milanit për 35 milionë euro. Paraqitje në rritje për Piontek, që në këto momente vlen 70 milionë euro, falë edhe 6 golave në vetëm pesë ndeshje si kuqezi.
Panorama Sport
