Mjaft i zhgënjyer u shfaq trajneri i Laçit, Shpëtim Duro, për humbjen e kurbinasve në Durrës. Pas ndeshjes për “Supersport” ai theksoi se vetëm angazhimi i Mazrekajt ishte shumë pak për të shmangur disfatën në “Niko Dovana”.
Çfarë mund të bënte ndryshe Laçi për të mos humbur sot?
Futbollistë si Bregu janë shumë të rëndësishëm për çdo skuadër dhe sot ishte pikërisht bregu që bëri diferencën dhe i dha tre pikët Teutës. Nuk jam i kënaqur me paraqitjen e skuadrës, ndonëse pjesën e parë e justifikoj disi me erën e fortë kundër, që nuk na lejonte të bëjmë lojën. Në pjesën e dytë u balancua situata, por nuk arritëm të bëjmë shumë, me përjashtim të Mazrekajt, që është i vetmi që bën diferencën.
Si mund të reagohet pas dy humbjesh radhazi?
Sot ishim pranë reagimit, por humbëm minimalisht me një rival direkt për titullin. Do të vazhdojmë kampionatin dhe do të provojmë të reagojmë, duke nisur që nga ndeshja e radhës.
Sa kanë ndikuar mungesat në repartin e sulmit?
Është e vërtetë që ne nuk krijuam raste të rrezikshme në portën kundërshtare, me përjashtim të disa tentativave të Mazrekajt. Pashë që kishte një tension te lojtarët, që nuk ditën të shfrytëzojnë aftësitë dhe lëvizjet e Mazrekajt. Edhe Harmon nuk ka qenë në lartësinë e duhur dhe është shfaqur shumë konfuz, por shpresoj të reagojmë në javën e ardhshme.