Fitorja me Napolin duket se ka ndihmuar Juventusin që të gjejë moralin e sidomos euforinë që mungonte për të përballuar këtë fund kampionati, Bardhezinjtë kanë marrë sot një fitore të thjeshtë 2-1 përballë Xhenoas dhe kanë vazhduar të ndjekin hap pas hapi Milanin, në garën për vendin e dytë në renditje.
Golat e Kulusevskit dhe Morata që në minutat e parë e bënë shumë të thjeshtë takimin për Juventusin që dominoi dhe kishte mundësi të thellonte diferencën, por në fillimin e pjesës së dytë do të vinte goli i Shamaka i cili do të trondiste pak bardhezinjtë. Gjithsesi, MekKeni gjeti rrjetën në minutën e 70 të sfidës dhe vulosi tre pikët e radhës për ekipin torinez.
Hapin e skuadrave të zonës së Champions e ka mbajtur edhe Napoli, i cili fitoi 2-0 në fushën e Sampdorias. Fabian Ruiz në pjesën e parë dhe Osmihen në të dytën, siguruan tre pikë për të kaluar përkohësisht Atalantën në renditjen e Serisë A.
Ndërsa Lacio shpreson ende që të shkojë në katërshen e parë dhe me fitoren 1-0 ndaj Veronës, ka marrë një rezultat shumë të rëndësishëm në këtë pjesë të sezonit ku çdo hap i gabuar mund t’i shuajë çdo shpresë. Ndeshja u vendos në mënyrë dramatike nga goli i Milinkoviç-Saviç në minutën e parë shtesë të duelit, i cili mjaftoi për të ngjitur skuadrën kryeqytetase në vendin e 6, vetëm 4 pikë larg vendit të katërt që garanton praninë në Ligën e Kampioneve.
