Grupimi i organizatave në mbrojtje të Vjosë-Nartës do të organizonte një tubim përballë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë kundër vendimit për firmosjen e kontratës lidhur me ndërtimin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës. Por një gjë e tillë nuk është lejuar nga policia. Përmes një reagimi në rrjete sociale, aktivistë të këtij grupimi shprehen se në një kohë që policia ndalon protestat e shoqërisë civile, lejon tubimet politike.
“SHOQËRISË CIVILE I NDALOHEN TUBIMET, NDËRKOHË QË MAKINERITË E PROPAGANDËS SHKOJNË QYTET MË QYTET
Për të kundërshtuar vendimin për firmosjen e kontratës lidhur me aeroportin ndërkombëtar të Vlorës, grupimi i organizatave në mbrojtje të Vjosë-Nartës do të organizonte ditën e sotme një tubim përballë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Duke respektuar çdo masë kundër përhapjes së pandemisë COVID-19, në kërkesën drejtuar Drejtorisë së Policisë Vendore Tiranë, u pohua se pjesëmarrësit në këtë tubim nuk do t’i kalonin 10 vetë. Në përgjigjen e ardhur nga institucioni i policisë deklarohej se një tubim i tillë do të përbënte “një rrezik serioz për shendetin tuaj dhe të qytetarëve të tjerë”, duke e refuzuar kërkesën tonë të drejtë dhe brenda kornizave ligjore.
Përse policia nuk ndalon grumbullimet e fushatës elektorale, por ndalon një grumbullim prej 10 personash nga shoqëria civile për një kauzë që nuk ka asnjë ngjyrim politik?
Fjala e lirë nuk shtypet dhe aq lehtë! Ju ftojmë të shpërndani pankartat e mëposhtme të protestës sa më shumë në mediat tuaja sociale. Të jemi me mijëra, në vend të dhjetëve”, thuhet në mesazhin e tyre.
