Dy ditë para zgjedhjeve të 25 prillit, Partia Socialiste Korçë ka shpërndarë një deklaratë për mediat ku i është përgjigjur LSI-së që akuzon Ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi, njëkohësisht dhe drejtues politik i Qarkut Korçë se po bën abuzime në fushatë në emër të disa qytetarëve duke përdorur administratën publike.
Sipas deklaratës së Partisë Socialiste në Korçë, LSI e dëshpëruar vijon të baltos njerëz në vend të kërkimit të një ndjese publike për gjithçka që po bënë.
“Të kapur nga paniku i humbjes së thellë, në vend që të kërkojnë ndjesë publike për bëmat ndaj qytetarëve të Korçës dhe gjithë qytetarëve të Shqipërisë, të cilët kanë qenë të detyruar të dëgjojnë gjatë ditëve të fundit për kandidatë të dëshpëruar që japin ryshfet duke blerë votën, me zë e figurë, ata përpiqen dëshpërimisht t’u hedhin atyre hi syve duke larguar vëmendjen e duke baltosur njerëz.”, thuhet në deklaratë.
Deklarata e plotë
Fushatën zgjedhore ashtu sikurse edhe e filluan, zgjodhën ta mbyllin me një deklaratë të dëshpëruar dhe qesharake.
Të kapur nga paniku i humbjes së thellë, në vend që të kërkojnë ndjesë publike për bëmat ndaj qytetarëve të Korçës dhe gjithë qytetarëve të Shqipërisë, të cilët kanë qenë të detyruar të dëgjojnë gjatë ditëve të fundit për kandidatë të dëshpëruar që japin ryshfet duke blerë votën, me zë e figurë, ata përpiqen dëshpërimisht t’u hedhin atyre hi syve duke larguar vëmendjen e duke baltosur njerëz.
Ju jeni saktësisht shëmbëlltyra si politika NUK duhet të jetë.
Do të largoheni nga Korça duke lënë pas vetëm sharje, shpifje dhe kërcitjen e mbylljes se dyerve te shtëpive ne fytyre.
Nëse ju referohemi fakteve që dalin pothuajse çdo dy orë për ju, dhe të tjerave që priten të dalin në vijim, qytetarët e kanë kuptuar që ju jeni errësira, regresi, shëmtia e modelit që nuk duhet kurrë të ndjekin.
Të rinjtë kanë zgjedhur tashmë modelin e njerëzve të punës, që e kanë transformuar Korçën në çdo cep, e kanë kthyer në standardin e një qyteti evropian.
Dhe në mbyllje të deklaratës tuaj ajo që është edhe më qesharake është fakti që ju thoni se do ta bëni Korçën shtëpinë tuaj. Korça nuk mund të jetë kurrë shtëpia juaj!
Korça është djepi i kulturës dhe i qytetarisë, jo i baltës dhe i shpifjes.
Ecim përpara me të gjithë forcën, për gjyshërit, fëmijët, prindërit, të rinjtë, për Korçën.