Parlamenti Evropian është institucioni i vetëm që e njeh flamurin e Kosovës, raporton Gazeta “Express”.
Në vizitën dy-ditore të kryeministrit Albin Kurti në Bruksel dhe në takimet zyrtare që ka pasur me përfaqësuesit e institucioneve evropiane, vetëm Parlamenti Evropian ka shfaqur flamurin e Kosovës në sfond në takimin mes Presidentit të PE-së, David Sassoli dhe kryeministrit Albin Kurti.
Për shkak të pesë vendeve të BE-së që nuk e njohin ende pavarësinë e Kosovës, institucionet kryesore të BE-së dhe vetë Bashkimi Evropian mban qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës si shtet.
Por në takimin që ka pasur kryeministri Kurti në Parlamentin Evropian, ky institucion ka shfaqur flamurin e Kosovës në sfond..
Njëjtë nuk ka ndodhur me takimet që ka pasur shefi i ekzekutivit të Kosovës me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe me Shefin e Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borell.
Kryeministri Kurti sot kthehet në Prishtinë, pas takimeve që ka pasur në Bruksel.

