Kreu i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani në Ditën e Drejtësisë, tha puna e gjyqtarëve dhe prokurorëve është e bukur, por edhe e vështirë duke përmendur të gjithë rastet kur ka ndërhyrje. Në ceremoninë për Ditën Kombëtare të Drejtësisë, Metani tha se puna e të gjithë magjistratëve është e vështirë pasi duhet t’i bëjë ballë presioneve të politikës.
“Është e bukur se në profesionin e tyre janë pjesë e sistemi të drejtësisë, është frymëzuese pasi shoqëria jonë ka më shumë nevojë për gjyqtarë e prokurorë që ngjallin besim tek publiku. Është padyshim e vështirë. Në një shoqëri ku politika e ka të vështirë që të gjejë kufijtë e vetë, janë ato që duhet të ruajnë pavarësinë e institucioneve të demokracisë. Gjetja e frymës dhe shpirtit të ligjit është sfidë profesionale dhe individuale. Nëse udhërrëfyes do të jetë Kushtetuta dhe jo politika, nëse do ruhen interesat e drejtësisë, atëherë i është bërë një shërbim shumë i madh demokracisë dhe vendit,“-tha ndër të tjera Metani.