Interi shpallet zyrtarisht skuadra kampione e Italisë. Ky titull vjen pas 11 vitesh që prej kur zikaltërit e kishin fituar në vitin 2010.
Në video shfaqet momenti kur skuadra italiane ngre lart trofeun dhe shpërthen festa e shumëpritur në stadiumin San Siro.
Ky është një sukses i madh për skuadrën e Interit pasi kishin vite pa e fituar ëktë trofe dhe këtë vit, u vërejt një përmirësim i madh në lojën e tyre duke bërë që çështja e shpalljes së skuadrës kampione të mbetej thjesht një zyrtarizim, pasi Inter kishte kohë që kryesonte renditjen vazhdimisht.
Festa e titullit kampion kulmoi pasditen e sotme në “San Siro”, në ndeshjen e fundit të kampionatit ndaj Udineses, në përfundim të së cilës u bë edhe ceremonia e dorëzimit të trofeut. Inter fitoi për herë të 19-të trofeun më të rëndësishëm në Itali duke i bërë një mbyllje kampionatit me një fitore me shifrat 5-1.
Serinë e golave e hapi Ashley Young në minutën e 8’, ndërsa pak para fundit të pjesës së parë ishte danezi Eriksen që ekzekutoi në mënyrë të saktë një goditje dënimi, duke dyfishuar shifrat.
