Pas përfundimit të mbledhjes së KAS, përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Marash Logu, doli në një deklaratë për mediat, ku tha se të gjithë personat brenda Komisionit marrin urdhëra në telefonat e tyre nga Edi Rama, Taulant Balla dhe Damian Gjiknuri.
“Nga ana e PD janë vendosur disa faqe voluminoze dhe prova të shumta , mbi 100 prova për të treja qarqet. Duke pasur parasysh numrim e madh te provave që ne i vumë në komision, me të drejtë pritëm që të vepronin me të drejtë. Ata marrin urdhëra politikë në telefonat e tyre, nga Edi Rama, Taulant Balla dhe Damian Gjiknurin. Kemi paraqitur prova sesi votat u blenë nga PS, në Durrës kishte një skemë të drejtuar nga Ardjan Cela dhe Vangjush Dakon, ngritën struktura për bleren e votës. Dhe në Shkodër, Mark Frroku dhe Tom Doshi blenë vota masivisht. Është fakt se burimet shtetërore u përdorën masivisht nga PS. Vetëm leje legalizimi janë dhënë 10 mijë e tre leje. Janë punësuar mbi 3 mijë punonjës”, u shpreh Logu.
