Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani ka dorëzuar në KLGJ kërkesën për pezullim dhe shkarkim nga detyra të magjistrates së Elbasanit Enkeleda Kapedani. Sipas ILD, veprimet e Kapedanit diskreditojnë rëndë figurën e gjyqtarit.
Kërkesa e Metanit për pezullim të menjëhershëm të magjistrates bazohet në nenin 152, pika 1 të ligjit 96/2016 për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, sipas të cilit “Kur ka dyshim të arsyeshëm se vazhdimi i magjistratit në detyrë, diskrediton rëndë figurën dhe pozitën e magjistratit, Inspektori i Lartë i Drejtësisë kryen menjëherë një hetim paraprak për të verifikuar besueshmërinë e burimit të informacionit, sipas nenit 124, të këtij ligji, ose ankesës së paraqitur nga subjektet e përcaktuara në nenin 119 të këtij ligji.
Kur Inspektori i Lartë i Drejtësisë krijon bindjen se burimi i informacionit ose ankesa është e besueshme, brenda 3 ditëve nga marrja e ankesës ose nga momenti që ka marrë dijeni për shkeljen e pretenduar, i paraqet Këshillit përkatës raport të arsyetuar, bazuar në faktet dhe provat e mbledhura deri në atë moment për fillimin e një procedimi disiplinor dhe kërkesën për pezullimin e magjistratit nga detyra.”
Kërkesa vjen pas publikimit të një sërë videosh që gjyqtarja kishte publikuar në rrjetin social ‘tik tok’ si në zyrën e saj në Gjykatën e Elbasanit, ku ishte nënkryetare në detyrë, ashtu dhe në ambiente të tjera.
Ajo mohoi publikimin e videove dhe ekzistencën e profilit të saj në “tik tok”.
Tirananews.al
