Jepet vendimi ditën e sotme për tre të pandehurit. Gjykata ka dhënë arrest shtëpie për E. Kacelin, ndërkohë për dy të pandehurit e tjerë Marsel Locin dhe Asllan Veliun është vendosur arrest me burg.
Një ditë më parë, gjykata la në burg 6 nga të arrestuarit tri ditë më parë gjatë një operacioni antikanabis në këtë zonë. Gjatë ditës së djeshme, dolën në seancë 13 të arrestuarit.
Në seancën gjyqësore të zhvilluar me dyer të mbyllura, Gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorisë, duke e cilësuar të ligjshëm ndalimin e tyre dhe vendosi masën e sigurisë “Arrest me burg” për shtetasit: Fetije Kullaj, Ferid Kullaj, Dashamir Kullaj, Indrit Kullaj, Erion Deliu dhe Erlind Almeta.
Ndërsa për shtetasit Sokol Kullaj, Refik Deliu, Xhavid Kullaj, Dashamire Deliu dhe Musait Vathi u vendos masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Ndërkohë, për shtetasit Ervin Perlica dhe Flamur Halili gjykata vendosi masën e sigurisë “Detyrim paraqitje”.
Seanca gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë zgjati rreth 5 orë, teksa të gjithë të ndaluarit përfaqësohen me avokat, ndërsa jashtë ambienteve të Gjykatës është vënë re prezence e familjarëve të tyre.
OPERACIONI
Operacioni policor i koduar “Agimi” u zhvillua të shtunën nga Policia lokale në bashkëpunim me forcat RENEA.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në fshatrat Nikël, Halil dhe Arramerras të Bashkisë Krujë, u zbulua një laborator i mbyllur që shërbente për kultivimin e bimës narkotike kanabis sativa me anë të ngrohjes me llamba si dhe u sekuestruan 20 mijë rrënjë kanabis sativa.
Të dhënat u mblodhën pas monitorimeve nga ajri nga ana e avionëve të Guardia di Finanza italiane, filmimeve të dronëve të Policisë së Shtetit si dhe mbi bazën e informacioneve policore të marra më parë, shërbimet e Policisë kanë kontrolluar sera, magazina, banesa e zona të pyllëzuara.
Në përfundim të këtij operacioni u arrestuan 16 persona si dhe u shpallën në kërkim 24 të tjerë si të përfshirë në kultivimin e bimës narkotike kanabis sativa. Gjithashtu, u proceduan penalisht në gjendje të lirë edhe 3 persona të tjerë.
