Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin lidhur me përplasjen mes kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit Ilir Meta për mosdekretimin e Gent Cakajt si Ministër i Jashtëm.
Në vendimin e Kushtetueses thuhet se çështja është pushuar dhe nuk ka më mosmarrëveshje kompetencash për të zgjidhur.
Sipas pretendimeve të përfaqësuesit të Ramës, Presidenti e ka vlerësuar kandidatin e propozuar nga Kryeministri nga pikëpamja politike dhe meritokratike, ndërkohë që ky lloj vlerësimi substancial bëhet nga Kuvendi. Kompetenca e Presidentit për emërimin e ministrit është formalisht presidenciale, një kompetencë solemniteti dhe jo kompetencë thelbësore e tij. Ajo mbetet kompetencë thelbësore e organeve që realizojnë drejtimin politik dhe që kanë marrë përsipër qeverisjen e vendit përmes votës së popullit, konkretisht e Kryeministrit dhe Kuvendit. Presidenti duhet të shprehë vullnetin nëpërmjet dekretimit të kandidaturës së përzgjedhur e propozuar nga Kryeministri dhe nuk duhet të vlerësojë cilësitë dhe aftësitë e kandidatit. Kushtetuta e ka konceptuar rolin e Presidentit si një vlerësues formal të kandidaturës së propozuar për ministër, vetëm për ato kushte që Kushtetuta kërkon për deputetin, prandaj Presidenti kushtëzohet të vlerësojë, vetëm nëse kandidatura bie ndesh me kriteret që duhet të plotësojë një deputet. Gjatë seancës, përfaqësuesi i Kryeministrit është shprehur se Presidenti është i detyruar të nxjerrë dekretin, pasi nuk ka kompetenca verifikuese as në aspektin formal.
