Faza e grupeve të Euro 2020 prodhoi rekorde që ishin në fuqi prej vitesh, por edhe një lumë golash. Duke vështruar 36 takimet e raundit të parë të Europianit vihet re se në tre xhirot e zhvilluara në 6 grupe është shënuar një total prej 94 golash.
Takimet e treta ishin ato që prodhuan më shumë gola, 39 të tillë, ndërsa në takimet e para dhe të dyta u shënuan respektivisht 28 dhe 27 gola. Dueli me më shumë gola në fazën e grupeve ishte ai i grupit F mes Portugalisë e Gjermanisë, i mbyllur me shifrat 4-2 në favor të Pancerave.
Një mesatare prej 2.61 golash për ndeshje është shënuar në takimet e fazës së grupeve, një mesatare tepër e lartë në krahasim me atë të 5 viteve më parë, në Euro 2016. Faza e grupeve në turneun e zhvilluar në Francë, ku pjesë ishte edhe kombëtarja jonë dha 67 gola, me një mesatare prej 1.8 golash për ndeshje ose 27 gola më pak se kompeticioni i këtij viti.
Një fakt tepër interesant, çka tregon se Europiani “nën frikën e pandemisë” ka nisur të prodhojë më shumë gola dhe rrjedhimisht edhe spektaklin.