Vendi nuk po gjen qetësi nga ngjarjet kriminale. Në kulmin e sezonit veror, tashmë sulmet me armë zjarri duket se janë “zhvendosur” pranë zonave bregdetare, ku qytetarët kanë zgjedhur të kalojnë pushimet, por në fakt po ndodh e kundërta.
Kështu, një përplasje më armë në Velipojë ka tronditur vendin, orët e para të mëngjesit të djeshëm teksa janë vrarë 4 persona dhe dy të tjerë janë plagosur rëndë.
Mësohet se ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, do të zhvillojë një konferencë për media ditën e sotme.
Ministria e Brendshme njofton se konferenca do të nisë në orën 11:00 në sallën brenda ministrisë, ndërkohë që vjen një ditë pas takimit të ministrit Çuçi dhe drejtuesve të tjerë të policisë me kryeministrin Edi Rama në Vlorë.
Ishte vetë kryeministri ai që paralajmëroi dje një ristrukturim, teksa tha se ishte parashikuar për në fund të verës, por për shkak të ngjarjeve të fundit do të përshpejtohen.
