Situata e rëndë e shkaktuar nga mbeturinat zhvendoset përgjatë bregdetit të Adriatikut. Pas emergjencës disa ditore në Durrës, në qendër të vëmendjes tani është Kavaja.
Rreth 40 ton mbeturina depozitohen dhe digjen çdo ditë në kodrën e fshatin Kazie mes zonës së plazhit në Spille dhe Plazhit të Gjeneralit. Grumbullimi dhe djegia e tyre ka shkaktuar ndotje të madhe mjedisore, tani në pikun e sezonit turistik.
Në këtë kodër, siç shihet që nga mëngjesi i sotëm janë depozituar mbetje urbane të qytetit të Kavajës e më pas iu është vënë zjarri duke çliruar dioksid karboni, duke shkaktuar një krim të rëndë mjedisor. Janë operatoret turistikë dhe banorët e fshatrave përreth të cilët kanë ngritur alarmin lidhur me situatën e rëndë mjedisore si pasojë e ndotjes që shkakton djegia e mbetjeve urbane.
Në fshatin Kazie duket nga larg tymi i djegies së mbetjeve urbane, ndërsa era e keqe është shumë shqetësuese për turistët dhe banorët e zonës. Një krim mjedisor me përmasa të tilla, mbart një rrezik të lartë për banorët e zonës, por edhe për turistet ndërkohë që nuk ka një kontroll nga efektivët e Task-Forcës.
Ligji parashikon se të gjitha mbetjet duhet të seleksionohen, në mënyrë që të ndahen në të riciklueshme dhe për trajtim të posaçëm, por ai me sa duket nuk zbatohet.
