Vala ekstreme e të nxehtit që ka përfshirë Evropën po favorizon përhapjen e disa prej zjarreve më të mëdha të këtij sezoni. Mijëra banorë dhe turistë janë detyruar të largohen nga shtëpitë, kampingjet dhe zonat turistike në Francë, Spanjë dhe Itali.
Situata më kritike paraqitet në jugperëndim të Francës, ku autoritetet urdhëruan evakuimin e plotë të gadishullit Cap Ferret, një nga destinacionet më të frekuentuara turistike në bregdetin e Atlantikut. Për shkak të përparimit të flakëve, shumë pushues u transportuan me anije drejt qytetit Arcachon, ndërsa të tjerë u larguan nëpërmjet rrugës së vetme që lidh gadishullin me kontinentin.
Zjarri ka përfshirë rreth 8.700 hektarë pyje dhe vijon të përhapet, i favorizuar nga temperaturat shumë të larta dhe erërat e forta.
Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi aktivizimin e Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile dhe kërkoi ndihmën e vendeve të Bashkimit Evropian. Operacioneve pritet t’u bashkohen avionë zjarrfikës nga Kroacia dhe Portugalia, si edhe helikopterë Black Hawk nga Çekia dhe Sllovakia.
Një tjetër vatër e madhe pranë Biscarrosse, rreth 40 kilometra larg Cap Ferret, ka djegur afërsisht 2.500 hektarë. Më shumë se 23 mijë persona janë evakuuar nga kampingjet, banesat, një kamp veror për fëmijë dhe një qendër për të moshuarit.
Situata mbetet e rëndë edhe në Spanjë, e cila po përballet me një nga zjarret më të mëdha të viteve të fundit. Në Itali, ndërkohë, ekipet e emergjencës po luftojnë me disa vatra aktive.
Tri valët e të nxehtit që kanë goditur Evropën gjatë kësaj vere kanë tharë vegjetacionin, kanë pakësuar rezervat ujore dhe kanë krijuar kushte ideale për përhapjen e zjarreve. Sipas ekspertëve, sipërfaqja e djegur gjatë këtij viti e ka tejkaluar mesataren vjetore të dy dekadave të fundit, ndërsa temperaturat ekstreme lidhen edhe me mijëra vdekje në kontinent.

