Forcat speciale RENEA kanë zbarkuar në 3 qytete për kontrolle pas vrasjes së Bledar Muçajt në Lushnje. Më konkretisht, efektivët po kryejnë kontrolle në Shkodër, Lezhë dhe Durrës por edhe në qytete të tjera për persona të përfshirë në krime të ndryshme.
Operacioni po zhvillohet dhe për identifikimin dhe kapjen e personave të armatosur.
Kontrollet po vijojnë në terren.
“Në qarkun Lezhë nga shërbimet e DVP Lezhë dhe Komisariateve në varesi, në mbështetjen e forcave speciale RENEA po ushtrojnë kontrolle në ato ambjente apo lokale ku dyshohet se frekuentohet nga persona në kerkim, persona që mbajnë armë zjarri, lëndë narkotike apo që janë autorë veprash penale. Deri tani janë shoqëruar disa shtetas për verifikim. Operacioni zhvillohet në 3 qarqe njëkohësisht” – thuhet në njoftimin e policisë Lezhë.
Kujtojmë që një ditë më parë në qytetin e Lushnjes u ekzekutua me breshëri kallashnikovi Bledar Muçaj në një lokal në pedonale.
Dy persona ende të paidentifikuar po lëviznin me makinë tip “Golf” dhe ndaluan përpara lokalit ku ishte ulur Muçaj. Një prej tyre doli nga makina dhe ka hapur zjarr ndaj 34-vjeçarit.
Si pasojë e të shtënave kanë mbetur dhe 5 të plagosur të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.
