154 afganët që mbërritën gjatë natës në Rinas, janë akomoduar në konviktet e Qytetit Studenti.
Ata po qëndrojnë në godinat 11 dhe 12, pranë menzës dhe qendrës shëndetësore.
Dalja e refugjatëve nga godinat bëhet me ndihmën e vullnetarëve dhe stafit të Bashkisë Tiranë, të cilët i orientojnë në zonë.
Në këtë zonë janë të pranishme edhe forca policie për të garantuar sigurinë si dhe ambulanca të vendosura në afërsi të godinave studentore ku dhe janë strehuar refugjatët.
Pas mesnate, rreth orës 01:15 mbërriti dhe grupi i dytë, me fluturimin nga Doha, me 59 shtetas të tjerë afganë. Ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka tha se shumica e këtyre shtetasve janë studentë dhe gra të zëshme të shoqërisë civile në Afganistan, të cilave u rrezikohet jeta nga talibanët.
Dy ditë më parë, rreth orës 23:00 arriti avioni i pari me 121 afganë. Ata janë akomoduar në strukturat hoteliere të Golemit.