Qeveria e re dhe kreu i ri i Kuvendit do të prezantohen ditën e enjte. Kryeministri Rama lajmëroi se këtë javë do të bëjë të ditur emrat e ministrave dhe pa humbur kohë ka thirrur mbajtjen e Asamblesë së PS në 2 shtator. Ka qenë kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, i cili ka lajmëruar se Partia Socialiste do të mbledhë Asamblenë Kombëtare ditën e enjte. Balla në një njoftim në celularët e deputetëve, bën me dije se mbledhja do të zhvillohet në datën 2 shtator në orën 10, në Pallatin e Kongreseve. Më tej Balla njofton, se rendi i ditës do të bëhet publik ditën e sotme.

