Dhuna barbare mbi gjyqtarin Hamiti në përballjen Kamza-Laci ka shqetësuar zyrtarët më të lartë të Federatës Shqiptare të Futbollit. Është thirrur një mbledhje urgjente e drejtuesve të këtij institucioni, për të analizuar ngjarjen e rëndë në stadiumin e Kamzës dhe për të mbajtur një qëndrim mbi klubin që nuk siguroi mbarëvajtjen e ndeshjes.
Nuk është ende e qartë, por besohet se ndaj klubit të Kamzës do të ketë masa të rrepta. Specialistët e Disiplinës dhe autoritetet e tjera me siguri do të shfrytëzojnë videot e shumta ku tregohet dhuna e paparë mbi xhaketat e zeza. Dhjetra persona, lënë shkallët e stadiumit, zbresin në fushën e blertë dhe i sulen kryesorit në mënyrën më të shëmtur.
Kamza pas problemeve që ka mes Bashkisë dhe donatorit Qarri tani po përballet me një skandal, dhunimin e zyrtarëve të FSHF-së. Edhe sikur Hamiti të ketë gabuar në dhënien e penalltisë, në minutën e 95, rrahja e tij nuk tolerohet.
Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar sot zyrtarisht për ngjarjen e rëndë që ndodhi në Kamzë ku u dhunua gjyqtari Eldorian Hamiti në përfundim të ndeshjes mes ekipit vendas dhe Laçit. Institucioni i futbollit ka paralajmëruar se do të ketë masa shumë të rënda dhe se kërkon që të kthehet sa më parë policia në stadiume pasi në kushtet aktuale është një situatë e pamenduar mirë.
DEKLARATË PËR SHTYP MBI DHUNËN NË NDESHJEN KAMZA-LAÇI
Federata Shqiptare e Futbollit dënon ashpërsisht dhunën e ndodhur sot në ndeshjen Kamza-Laçi, e vlefshme për javën e 24-të të Kategorisë Superiore. Kjo ngjarje e rëndë ka tronditur sigurinë e garës së futbollit në Shqipëri.
FSHF prej muajsh ka kërkuar reagimin e institucioneve të shtetit shqiptar për të zbatuar ligjin dhe për të nxjerrë përpara drejtësisë autorët e skenave të dhunës në stadiumet shqiptare. Ruajtja e rendit dhe sigurisë publike në mjediset sportive është detyrë institucionale e organeve të Policisë së Shtetit, detyrë e cila siç u evidentua edhe në ngjarjen e sotme vazhdon të mos kryhet.
Ne dënojmë dhunën, si një fenomen qe jo vetëm cenon rëndë vërtetësinë e garës por edhe imazhin e lojës. Federata Shqiptare e Futbollit, dënon ashpër çdo akt dhune, që vjen nga tifozët, zyrtarët, futbollistët apo kushdo tjetër. Ne presim që të gjithë aktorët të bëjnë punën e tyre ashtu siç i kërkojmë komisioneve që të jenë ekstremisht të ashpër me ata që prishin imazhin, jo vetëm të lojës por edhe të futbollit shqiptar.
Ne kërkojmë në mënyrë të përsëritur të rishikohet vendimi i nxituar për të larguar përfundimisht Policinë nga stadiumet. Në kushtet ku Shqipëria ndodhet e gjykojmë të pavend. Ky vendim i nxituar cenon rëndë mbarëvajtjen e garës më të ndjekur sportive në Shqipëri.
Pas ngjarjeve të dhunës në fundin e takimit mes Kamzës dhe Laccit ditën e sotme, ku u godit gjyqtari Eldorjan Hamiti, ka reaguar edhe Policia e Shtetit, e cila njofton se ka arrestuar presidentin e Kamzës, Naim Qarrin, si dhe drejtorin e shefin e klubit, por edhe një tifoz, të gjithë këta në flagrancë.