Ditën e sotme në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka filluar seanca fillestare në rastin ku po akuzohen menaxheri i “On Records”, Mehmet Elshani, Avudllah Islami dhe Feronit Shabani, i njohur me emrin artistik Fero. Elshani po akuzohet për sulm, Islami për kanosje me përdorim të mjetit të rrezikshëm, kurse Shabani për armëmbajtje pa leje.
Dyshohet se Mehmet Elshani, më 22 mars 2018, rreth orës 13:15, pikërisht në rrugën “Iliaz Kodra” në Prishtinë, me dashje ka përdorë forcën ndaj të dëmtuarit Lorent Bajrami.
Këtë thuhet se e ka bërë në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshjeje që kishte ndodhur në mes tyre, përderisa i dëmtuari po kërkonte vendparkim për veturën e tij, të dy fillimisht kishin debatuar me fjalë pastaj i pandehuri doli nga vetura e tij dhe duke përdorë forcën fizike.
Në dispozitivin e dytë të aktakuzës thuhet se në kohën edhe vendin e përshkruar si në dispozitivin e parë, deri sa i pandehuri Elshani ka qenë duke e sulmuar të dëmtuarin Lorent Bajrami, i pandehuri Avdullah Islami i kishte drejtuar në kokë një mjet të metaltë të rrezikshëm, me të cilën seriozisht e kishte kanosur të dëmtuarin Bajrami, duke i thënë që të largohej nga aty, me qëllim të frikësimit të tij, duke i shkaktuar të njëjtit frikë dhe ankth.
Në akuzë thuhet se në kohën dhe vendin e njëjtë, i pandehuri Feronit Shabani ka mbajtur në pronësi, kontroll dhe posedim një Elektroshok me bateri të firmës TË-801TYPE, në shkelje të ligjit të zbatueshëm lidhur me armët e tilla.

