Mes flakëve, tymit dhe thirrjeve të protestuesve, kreu i PD-së Lulzim Basha tha se më 16 mars populli do të marrë në dorë fatet e tij. Tik-tak për qeverinë Rama, tha Basha.
Ai tregoi dhe pse u morr vendimi ekstrem i djegies së mandateve, pasi këtë ia kërkoi populli.
“Zëri juaj ka kërkuar herë me ndrojtje, herë me mllef, herë me mirëkuptim e me pikëpyetje kur do i digjni mandatet. Zëri juaj tashmë është dëgjuar. Patriotë kandidatë në lista që djegin sot mandatet e tyre para popullit sovran, kjo është beteja për Shqipërinë e vlerave, për Shqipërinë europiane. Nuk ka Europë me Shqipërinë si Kolumbia, me qeverinë e bërë njish me krimin, nuk ka integrim me korrupsionin në nivelet më të larta”, tha Basha.
Kreu i opozitës tha se tashmë është një rrugë pa kthim duke ftuar protestuesit drejt KQZ-së, për të dorëzuar edhe mandatet e kandidatëve të listave.
“Më ndiqni për të plotësuar hapin tjetër dorëzimin e qindra mandateve të kandidatëve të listave viruse në KQZ. Le të hedhim sot këtë tjetër hap historik të vetëdijshëm për peshën e përgjegjësisë që na takon”, tha ai.
