Nga Partia Demokratike ishin 103 kandidatë në lista që refuzuan të merrnin mandatin e deputetit në protestën përballë Parlamentit, ndërsa nga LSI ishin 75. Ata dorëzuan në mënyrë simbolike publikisht këto deklarata në KQZ.
Ndërkohë gjatë protestës një pjesë e madhe e tyre mbajtën dhe fjalime ku thanë dhe arsyet e tyre pse refuzuan mandatin.
“Edi Rama ka frikë nga zgjedhjet e lira, sepse në zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk ka kriminelë dhe banditë”, tha Gerti Bogdani.
Mirela Tabaku tha se Shqipëria renditet e para për nga vdekshmëria foshnjore, largimin e mjekëve, e fundit ndaj kujdesit shëndetësor. “Unë nuk mund të jem kurrë pjesë e këtij Parlamenti. Rama ik!”
Bernadeta Syku nga Shkodra nuk pranoi të marrë mandatin e deputetes. Në protestë ajo theksoi se si familje e persekutuar nga regjimi komunist, kërkon një Parlament të pastër nga krimi. “Një porosi për z.Lleshi. Burrat malësorë nuk e kanë pasur zakon me i shërby horrave të komunizmit. Asnjë hap pas. Duam Shqipërinë si gjith Europa.”
Matilda Qurku nga qarku i Sarandës refuzoi kategorikisht të bëhet pjesë e një parlamenti të kriminalizuar. “Ai mandat nuk më përfaqëson as mua as qytetarët e jugut”.
Martin Biba kandidat i listës së PD për qarkun e Lezhës nuk pranoi thirrjen e KQZ për marrjen e mandatit. “Ky është mandat i turpit, të cilën e pranuan disa të tjerë. Ky përbindësh nuk bëri asgjë për sportin dhe aviacionin. Aviacionin e ktheu në fushë droge”.
