Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka vendosur që të shpenzojë rreth 25 milionë lekë të taksave publike.
Të paktën 10 qen, që nuk janë kushërinj apo në lidhje gjaku me njëri-tjetrin, pritet t’u bashkohen forcave policore.
Brenda datës 8 Mars, Policia e Shtetit pret ofertat për blerjen e 10 qenve, të cilët duhet të përmbushin “specifikime teknike” shumë rigoroze.
Kështu, qentë duhet të jenë 4 Pastor Tedeskë, dy femra e dy meshkuj, të aftë për riprodhim, të moshës 15-24 muajsh.
Gjithashtu, kërkohen edhe tre femra, po Pastor Tedesk, të moshës 8-15 muaj. Për këtë kategori nuk kërkohet “aftësia e riprodhimit”, ndoshta për shkakun se qentë e asaj moshe nuk kanë arritur periudhën e pubertetit.
Policia e Shtetit kërkon edhe tre qen Belg Malinois (2 femra dhe një mashkull), të moshës 10-15 muaj.
Sipas njoftimit të publikuar në Buletinin e Prokurorimeve Publike, qentë duhet të përmbushin një numër të konsiderueshëm kushtesh, ndër të cilët, më interesantët janë:
– Të plotësojnë karakteristikat kryesore të rracës Pastor (pesha, gjatesia, lartësia në xhidavi, veshët, bishti.etj).
– Të kenë prejardhje të njohur dhe të dokumentuar (pema gjenealogjike për 4(katër) breza dhe të ketë për çdo individë prejardhje të veçantë gjenalogjike.
– Asnjë nga qent të mos kenë lidhje gjaku ndërmjet tyre.
– Të kenë të shprehur në shkallën maksimale aportimin,
– Të kenë të shprehur në shkallën maksimale intesitetin në kërkimin në ambjente të brendëshme dhe të jashtme.
– Të kenë të shprehur në shkallën maksimale durimin në kërkim të aportit në ambjente të brendëshme dhe të jashtëme.
– Të ketë forcën e SNQ, ku mos tregojë frikë nga zhurma (krisma), dyshemeja e rreshqitëshme, lartësitë, shkallët , errësira, qitje me armë etj.
