Në përfundim të mbledhjes të grupit parlamentar të PD, deputeti Flamur Noka kritikoi ashpër kryedemokratin Basha, ndërsa tha se konfirmoi fatin e karriges së tij dhe jo të partisë.
Duke komentuar debatet në mbledhjen e kryesisë së grupit, mbledhur mbrëmjen e së dielës, Noka tha se Basha mbrëmë i bëri poshtërimin e radhës anëtarësisë dhe elektoratit të PD duke e quajtur ‘llum’.
“Basha mbrëmë i bëri poshtërimin e radhës anëtarësisë dhe elektoratit të PD duke e quajtur ‘llum’, Askush nuk ka guxuar, as Nano as Rama as kundërshtarët më të egër të kësaj force politike, të konsiderojnë qeverinë e Berishës si llum, përves Bashës.
Mbrëmë i kërkova të marrë përgjegjësi, forca jonë politike po shkon në zgrip, falë vendimit okult të Bashës. Nëse do e donte sadopak këtë forcë, do jepte dorëheqjen për ta bashkuar këtë forcë, Basha mbrëmë konfirmoi se fati i karriges së tij është më i shtrenjtë se fati i PD e demokratëve. Kjo gjë nuk mendohej se do ndodhte, Basha mbrëmë konfirmoi fatin e karriges së tij.
Foltorja është zgjidhja, alternativa, foltorja e Sali Berishës është i vetmi shans për ta mbajtur PD të bashkuar e shpëtuar nga rrokullima ku po e con z.Basha. Foltorja është shpresë dhe firmat po ecin shkëlqyer, baza e PD është për një parti të bashkuar kundër përcarjes që shkaktoi Basha.”- u shpreh Noka.
