Gazetarja lezhjane Lindita Kokaj ka reaguar fort sot në rrjetin social Facebook pas dhunimit të mjekut Zef Doda. Ajo shprehet se mjekët e këtij qyteti kanë treguar profesionalizëm dhe korrektësi gjatë ushtrimit të detyrës dhe dënon ashpër dhunën e ushtruar mbi bluzat e bardha.
Postimi i plotë:
Çdo ditë raste dhunë në krye të detyrës, ku “Bluzat e Bardha” janë në të shumten e rastëve “viktima” të dhunës. Pak ditë më parë u dhunua një gjyqtar lezhjan, e ndërsa këtë të enjte , në krye të detyrës është dhunuar Doktori Dermatolog i Spitalit Rajonal të Lezhës Zef Doda.
Çdo kush prej nesh duhet të dënojë aktet e dhunës dhe ka ardhur koha që të vetëndërgjegjësohemi si shoqëri në tërësi për të parandaluar këto akte. Lezha e Besëlidhjes, e harmonisë ndërfetare, e pagëzuar edhe si qytet i paqes nuk duhet të reflektojë këto virtyte, duke i thënë “Stop Dhunës” në shoqëri apo në fmilje. Për shkak të punës, njoh të gjithë mjekët që shërbejnë në spitalin e Lezhës.
Mund të them me bindje respekt e mirënjohje për punen e tyre, ashtu siç mund të them se edhe pse është bërë shumë në drejtim të shëndetësisë, ka vend akoma për përmirësime. Sa i përket Doktorit të dhunuar, nuk dua të ndaloj tek arësyet, pasi nuk jam e informuar, por Doktorë si Zefi dhe të tjerë duhet të ruhen si një “trashëgimi” e çmuar e shëndetësisë jo vetëm në Lezhë por në mbarë Shqipërinë.
Sjell në vemendje, se personalisht nuk kam qënë pacientë por shoqëruese në dy raste dhe përkthyese e dy miqve gjerman, që jetojnë prej 2 vitesh në Shëngjin të Lezhës. Ata për arësye shëndetësore iu drejtuan pikërisht këtij mjeku për t’u konsultuar dhe marrë kuren e duhur. Renate Vincent dhe Dieter Hofer vlerësuan doktorin për kopetencat, me të cilat iu foli mbi sëmundshmërinë që kishin, simptomat dhe kuren që duhej të bënin. Miqtë gjerman u mrekulluan nga mënyra e trajtimit të sëmundjes, duke u shprehur se në Gjermani do të duhej të kishin prenotuar daten e takimit kohë më parë , ndërkohë këtu në Shqipëri vetëm në pak ditë. Nga ana tjetër ata vlerësuan aftësitë e doktorit, pasi kura dha rezultate në pak kohë. Doktorë të tillë nuk duhet t’i ikin Shqipërisë, më tha mikja Renate.
Bluzat e Bardha kanë të drejtat e tyre, edhe pacientët apo familjarët e pacientëve të drejtat e tyre që në të dy rastet duhet të respektohen, në të kundërt duhet tu drejtohen organëve të drejtësisë, pasi asnjë zgjidhje nuk mund të vendoset me dhunë. A e përmbushin mjekët betimin e “Hipokratit”, me bindje them jo 100%. Por e rëndësishme është se ata me sa munden dhe njohuri kanë i shërbejnë pacientit. Askush prej Bluzave të Bardha nuk do të dëshironte që të mbante barren e rëndë të ndonjë rasti fatal, kurrsesi nuk ka neglizhence me vetëdije apo keqadashëse. Jemi ne “shoqëria” që vite më parë, ç’akorduam sistemin shëndetësor me ryshfete, fatmirësisht vitet e fundit në këtë drejtim është bërë shumë dhe shërbimi shëndetësor u ofrohet të gjithëve, të pasurit e të varfrit. A ka vend për përmirësime në shëndetësi, me bindje secili nga ne do të thoshte me plot gojen “PO”. Politika dhe Shoqëria po e “vrasin” shëndetësinë, dhe për rrjedhojë shëndetin e secilit prej nesh.
Në rast se do të vijojë ky ritëm i emigrimit të infermierëve, apo mjekëve të kualifikuar, në rast se do të vijojë dhunimi i mjekëve specialistë, kush do të kujdeset për shëndetin e nesërm të një shoqërie që po shkon drejt plakjes. Të vetëndërgjegjësohemi të gjithë për të mbështetur dhe jo dhunuar Bluzat e Bardha, po ashtu Bluzat e Bardha duhet të përmbushin tërësisht betimin e Hipokratit. Shënim: “Mos pi alkool… mos pi duhan”, këshilla këto që ju Mjekë u jepni pacientëve duhet të jenë këshilla edhe për ju vetë.