Ish-drejtuesi i Policisë Shemsi Prençi deklaron se Policia e Shtetit nuk ka interes për të zbuluar ngjarjen e rrëmbimit dhe zhdukjes së Enver Stafukës sepse pengohet nga politika, nga kundërshtarët e tij dhe nga të gjithë.
Prençi deklaroi se Enver Stafuka i përkiste botës së krimit, ishte një kontingjent për disa lloj krimesh dhe ndër to dhe krime ndaj jetës së personit. Por sipas tij, strukturat e policisë duhet ta zbardhin ngjarjen, për t’i thënë familjes që ku ndodhet trupi i të ndjerit.
Pjesë nga biseda:
Si e lexoni këtë video?
Edhe nga opinioni publik, por edhe nga mediat dhe nga policia dihet që Enver Stafuka i përkiste botës së krimit, ishte i evidentuar, ishte një kontingjent për disa lloj krimesh dhe ndër to dhe krime ndaj jetës së personit. Në këto kushte është shumë i rëndësishëm motivi se përse është rrëmbyer, çfarë fshihet pas këtij rrëmbimi, çfarë dinte dhe nuk dinte, çfarë kishte bërë, qoftë dhe për t’u shmangur në një ditë të bukur për të dëshmuar. Sepse midis grupeve kriminale ka edhe kontradiksione që shkojnë drejt ndarjes dhe para se të ndahen dhe hesapet.
Kush janë personat e parë të dyshuar?
Po t’i referohemi videos nuk ka nevojë për ekspertë me një ekspertizë spektakolare në fushën e hetimit dhe zbulimit të krimit. Normalisht të dyshuarit do jenë ata që kanë kontaktuar të fundit me të. Pak rëndësi ka se me kë kanë lidhje. Këtu ka të bëjë sa janë të implikuar këta njerëz, nipi i deputetët, shokët e Enver Stafukës apo vetë Enver Stafuka.
Enver Stafuka ishte futur në botën e krimit dhe një ditë të bukur do i vinte o nga shokët, o nga kundërshtarët sepse ka qenë shumë i implikuar, aq sa disponon Policia e Shtetit. Por a duhet të mbajnë përgjegjësi strukturat e policisë, këtë duhet të mbajnë për ta zbardhur të paktën, për t’i thënë familjes që ku ndodhet trupi i të ndjerit.
E kemi thënë dhe stërthënë zyrtarisht në media që në disa zona të nxehta të botës së krimit nuk ka struktura aktive të policisë. Në Fushë-Krujë e Nikël nuk futen strukturat e policisë, vetëm kur shkon Drejtoria e Përgjithshme e Policisë me forcat RENEA. Nuk ka hetime të mirëfillta. Nuk di që për ngjarjen e Stafukës, të ketë ecur Policia e Shtetit për ta zbuluar sepse nuk ka interes për ta zbuluar, sepse pengohet nga politika, pengohet nga kundërshtarët e Stafukës, pengohet nga të gjithë. Pikërisht për këtë arsye e jetoj shqetësimin e vëllait të Stafukës, por ngjarje të tilla kriminale ose zbulohen shumë vonë, kur të jenë harruar shumë gjëra, ose nuk zbulohen fare.
