Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, njëkohësisht dhe dhëndri i ish-Kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi ka komentuar për herë të parë shpalljen ‘Non Grata’ nga SHBA të liderit historik të PD.
Në një intervistë për Ora News, ai është shprehur se ky vendim ka qenë lobim korruptiv i Kryeministrit Edi Rama dhe filantropit amerikan George Soros.
Jamarbër Malltezi: Kjo vendimmarrje ka qenë një vendimmarrje korruptive, si pasojë e një lobimi korruptiv të Edi Ramës dhe George Soros. Nuk është e çuditshme sepse para tre vitesh Rama në 31 Janar, deklaroi se Sali Berisha nuk e kalon dot Atlantikun. Berisha ishte i pari politikan brenda dhe jashtë Shqipërisë që sensibilizoi të gjithë opinionin publik dhe opinionin ndërkombëtar për këtë batërdi që pritet të ndodhë. Rama ka një marrëdhënie të shumëllojta me Sorosin.
Malltezi Sorosin e ka konsideruar si ‘kancer’ që vjedh naftën shqiptarëve, ndërsa shton se drejtësinë dhe shoqërinë civile e ka vendosur në duart e Edi Ramës.
Përsa i përket deklaratës së ambasadores Yuri Kim se nëse Berisha merr drejtimin e PD, SHBA do shkëpusë marrëdhëniet me këtë forcë politike, Malltezi tha se diplomatja është kukull e Sorosit.
Ai shtoi se ambasadorja po mbron korrupsionin që po bëhet në Shqipëri.
Jamarbër Malltezi: Kukullat e Sorosit janë kukullat e Sorosit, le t’i shpjegojnë vetë fjalët që lëshojnë. Përderisa Kim mbron korrupsionin e qeverisë, drogën e qeverisë, i bën temena Sorosit, ajo e ka deklaruar vetë se çfarë është. Ambasadorja po mbron korrupsionin dhe drogën që po bëhet në Shqipëri. Kjo lë një shije shumë të keqe në Shqipëri.
