Udhëheqësit europianë kanë kundërshtuar përpjekjen e Rusisë për të rishikuar arkitekturën e sigurisë së kontinentit, në kuadër të bisedimeve për paqen në Ukrainë.
Liderët e Europës i kanë bërë të qartë Rusisë se e ardhmja e arkitekturës së sigurisë së kontinentit nuk mund të vendoset pa praninë e vendeve europiane në tryezën e negociatave. Reagimi vjen pas një raundi bisedimesh për paqen, gjatë të cilit delegacioni i Moskës refuzoi një format shumëpalësh negociatash.
Rusia e ka vendosur çështjen e arkitekturës së sigurisë në krye të prioriteteve të saj, duke nxitur kundërshtimin e vendeve europiane. Këto të fundit besojnë se bëhet fjalë për një përpjekje për të larguar vëmendjen nga lufta në Ukrainë dhe për të çuar përpara ambicien e kahershme të Moskës për të rikthyer statusin e saj si fuqi e madhe botërore.
“Në fund të fundit, do të jemi ne ata që do të përcaktojmë dhe vendosim për sigurinë tonë të ardhshme si europianë. Nuk kam asnjë dyshim për këtë”, deklaroi presidenti francez Emmanuel Macron të enjten, në nisje të samitit të liderëve në Dublin të Irlandës.
“Europa duhet së pari të jetë e qartë për atë që dëshiron. Aktualisht, Europa është shumë e qartë në mbështetjen e saj për Ukrainën. Tani duhet të artikulojmë një vizion konkret për planin tonë të paqes dhe për arkitekturën e ardhshme të sigurisë”, shtoi ai.
Duke mbështetur qëndrimin e Macron, kancelari gjerman Friedrich Merz i bëri thirrje Rusisë të zhvillojë bisedime të drejtpërdrejta me përfaqësuesit europianë, diçka që Moska ende nuk ka pranuar ta bëjë.
Në raundin e fundit të bisedimeve në Abu Dhabi morën pjesë zyrtarë të lartë nga Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Komisioni Europian, Këshilli Europian dhe NATO. Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk zhvilloi bisedime të drejtpërdrejta me delegacionin rus.
“Ukraina duhet të jetë në tryezë. Europianët duhet të jenë në tryezë. Amerikanët dhe, sigurisht, Rusia duhet të jenë në tryezë”, deklaroi Merz gjatë mbërritjes në samit.
“Është e rëndësishme që Rusia të vijë në tryezën e negociatave dhe të jetë e gatshme për bisedime”, theksoi ai.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, nënvizoi rëndësinë e respektimit të një renditjeje të qartë të procesit diplomatik: fillimisht një armëpushim në Ukrainë, më pas një marrëveshje paqeje dhe, në fazën e fundit, diskutimi për arkitekturën e sigurisë europiane.
“Ne tashmë kemi një arkitekturë europiane të sigurisë”, u shpreh ajo, duke iu referuar Akteve të Helsinkit të vitit 1975, Kartës së Parisit të vitit 1990 dhe Memorandumit të Budapestit të vitit 1994.
“Problemi është se Rusia nuk po i respekton këto marrëveshje”, përfundoi Kallas./ a.m
